Olta shkon në dhomën e gjumit, ku Arsimi qëndron i shtrirë e të dy bashkë fillojnë një bisedë rreth banorëve. Arsimit i bën përshtypje afrimiteti i Shpendit me Eldorën dhe i tregon Oltës se këtë gjë ia ka shprehur edhe Shpendit, duke i thënë të mos qëndrojë shumë afër me të, pasi njerëzit jashtë mund të keqkuptohen nga ky fakt. Ai mendon se Shpendi është i martuar dhe se gruaja e tij dhe fëmijët mund të keqkuptohen nga kjo gjë. Ndërsa Olta mendon se ai mund të mos jetë i martuar, pavarësisht se ka fëmijë. Ajo aludon se ky mund të jetë sekreti i tij, ndërsa Arsimi ia kthen: “Nuk ka sekret atje, por gjithsesi nuk është puna jonë ta komentojmë”. Ai thotë se Shpendi është në siklet në momentin që Eldora i afrohet, ndërsa Olta mendon se edhe ai është duke luajtur me të.
Më pas flasin për Elonën dhe lojën që ajo po mundohet të bëjë. Të dy i premtojnë njëri-tjetrit të bashkëpunojnë për të zbuluar gjithçka që ka të bëjë me Elonën.
Të dy banorët mendojnë për të gjithë me radhë, duke ndaluar tek Anaidi dhe Joana, për të cilët janë kuriozë nëse kanë gjetur sekretet e njëri-tjetrit, pasi mendojnë se ata ndihmojnë njëri-tjetrin rreth gjetjes së sekreteve.
Olta mendon për ditën e shtunë, duke thënë se këtë javë ndihet mirë dhe pa një presion për nominimet. “Të shtunën e kaluar u ndjeva shumë keq”, shprehet Olta.
Të dy fillojnë të bëjnë shaka, duke kujtuar situata humoristike të banorëve të shtëpisë.