Të gjithë banorët e shtëpisë së Big Brother janë në gjumë në momentin që Vëllai i Madh vendos t’i bjerë gongut për provën e koshave të plehrave. Mëngjesin e sotëm nuk është vetëm një, por tre banorë që zgjohen dhe ngrihen nga krevati për të kryer provën, në kuadër të dënimit që kanë marrë nga Vëllai i Madh gjatë ditës së djeshme si mungesë e impenjimit gjatë lojës “Vigan-Shkurtabiqi”. Në fillim ngrihet Katerina, pastaj Viola dhe pak më vonë, Esida. Vajzat dalin jashtë duke përshëndetur e folur me njëra-tjetrën, ndërsa ndajnë ambientet e shtëpisë për të ndërruar qeset me mbeturina. Të tria vajzat përfundojnë shumë shpejt me sistemimin dhe ndarjen e mbeturinave, teksa ndihmojnë njëra-tjetrën e bëjnë shaka duke qeshur e duke komentuar veprimet e njëra-tjetrës. Ato komentojnë zgjimin dhe faktin që janë ngritur të tria për provën, ndërsa Katerina ankohet për gjumin e parehatshëm gjatë këtyre ditëve e sidomos gjatë natës së mbrëmshme. “Më kanë bërë magji më duket, që s’më zë gjumi”, shprehet Katerina, ndërsa vajzat qeshin. Pak më vonë ajo shtrihet të flejë, ndërsa Viola e Esida vazhdojnë të qëndrojnë ende zgjuar. Viola bën kafè për të dyja dhe më pas ato dalin në oborr për ta shijuar me njëra-tjetrën teksa fillojnë të shkëmbejnë biseda të përgjithshme. Ato flasin për javët që kanë kaluar gjatë qëndrimit në Big Brother si edhe për javët që i kanë mbetur deri në fund të edicionit, ndërse thonë se koha brenda shtëpisë kalon shumë shpejt. Më pas ato flasin për dënimin që kanë marrë nga Vëllai i Madh, duke numëruar ditët si edhe punët që kanë për të bërë si shkak i dënimit. Vetëm pas pak minutash bie sërish sinjali, për t’i njoftuar banorët se afati kohor për kryerjen e provës, ka përfunduar.